Hyrje
IDRApoll është një platformë online sondazhesh, pjesë e IDRA Research & Consulting, e cila u mundëson përdoruesve të regjistruar të marrin pjesë në studime kërkimore dhe të shprehin opinionin e tyre mbi çështje të ndryshme sociale, ekonomike dhe të tregut. Përmes kësaj platforme, përdoruesit kontribuojnë në kërkime profesionale dhe përfitojnë shpërblime në bazë të pjesëmarrjes së tyre.
Këto Terma dhe Kushte rregullojnë përdorimin e platformës IDRApoll dhe përbëjnë marrëveshjen ndërmjet përdoruesit dhe IDRA Research & Consulting. Duke u regjistruar dhe përdorur platformën, përdoruesi pranon të respektojë këto kushte, si dhe politikat e tjera përkatëse, përfshirë Politikën e Privatësisë.
Kushtet e Anëtarësimit
Përdorimi i platformës IDRApoll është i hapur për individët (të rritur, mbi 18 vjeç) që japin informacion të saktë dhe të plotë gjatë regjistrimit të tyre. Çdo përdorues lejohet të krijojë vetëm një llogari personale, e cila nuk mund të transferohet apo përdoret nga persona të tjerë.
IDRApoll rezervon të drejtën të verifikojë informacionin e dhënë dhe të pezullojë ose mbyllë llogaritë që rezultojnë me të dhëna të pasakta, të paplota ose në kundërshtim me këto Terma dhe Kushte.
Pjesëmarrja në Sondazhe
Përdoruesit mund të ftohen të marrin pjesë në sondazhe përmes email-it, SMS ose njoftimeve në platformë. Në raste të rralla, ekipi i IDRApoll mund të kontaktojë përdoruesit përmes telefonit për qëllime të pjesëmarrjes së këtyre të fundit në studime të caktuara.
Përzgjedhja e pjesëmarrësve bëhet në mënyrë rastësore dhe/ose bazuar në kritere specifike të studimit, të përcaktuara nga IDRApoll ose klientët e saj për studime.
IDRApoll nuk garanton një numër minimal ose maksimal ftesash për sondazhe dhe pjesëmarrja varet nga përputhshmëria e profilit të përdoruesit me kërkesat e studimit.
Cilësia e Përgjigjeve
Përdoruesit supozohet të japin opinionin e tyre të sinqertë dhe të plotë gjatë plotësimit të sondazheve. IDRApoll aplikon mekanizma kontrolli për të vlerësuar cilësinë dhe konsistencën e përgjigjeve.
Në rast se konstatohet se përgjigjet nuk përmbushin kriteret minimale të cilësisë, janë jokonsistente ose të pasakta, IDRApoll rezervon të drejtën të mos kreditojë pikët përkatëse dhe, në raste të përsëritura, të kufizojë ose mbyllë llogarinë e përdoruesit.
Sistemi i Pikëve dhe Shpërblimeve
Përdoruesit fitojnë pikë përmes pjesëmarrjes në sondazhe nga platforma. Pikët e grumbulluara nuk konvertohen në shumë monetare, nuk janë të transferueshme dhe mund të përdoren vetëm brenda platformës për përfitimin e shpërblimeve të ofruara.
Pikët e fituara janë të vlefshme për një periudhë prej dy (2) vitesh nga data e kreditimit të tyre. Nëse pikët e fituara nuk përdoren brenda këtij afati, ato do të hiqen automatikisht nga llogaria e përdoruesit pa të drejtë rikthimi.
Shpërblimet dhe Dhuratat
IDRApoll ofron shpërblime në forma të ndryshme, të cilat mund të variojnë në varësi të disponueshmërisë dhe marrëveshjeve me partnerët. Platforma rezervon të drejtën të ndryshojë, shtojë ose heqë llojet e dhuratave në çdo kohë.
Në rastet kur shpërblimi kërkohet në formën e rimbushjes telefonike, përdoruesi duhet të sigurojë një numër të vlefshëm me parapagesë. Nëse numri nuk është i përshtatshëm për rimbushje, kërkesa do të anulohet.
Kodet e dhuratave të ofruara nga platforma duhet të përdoren brenda një periudhe prej dy (2) javësh nga momenti i dërgimit. Pas përfundimit të këtij afati, kodi bëhet i pavlefshëm dhe nuk mund të riaktivizohet.
Përdorimi i Llogarisë dhe Siguria
Përdoruesi është përgjegjës për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të aksesit në llogarinë e tij. Çdo përdorim i paautorizuar duhet të njoftohet menjëherë tek IDRApoll.
IDRApoll rezervon të drejtën të pezullojë përkohësisht ose të mbyllë llogarinë në rast dyshimi për përdorim të paautorizuar, mashtrim ose shkelje të këtyre kushteve.
Mbrojtja e të Dhënave Personale
Përpunimi i të dhënave personale kryhet në përputhje me Ligjin Nr. 124/2024 "Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale" dhe Politikën e Privatësisë së IDRApoll.
Për qëllime të funksionimit, mirëmbajtjes dhe sigurisë së platformës, IDRApoll mund të përdorë infrastrukturë teknologjike dhe shërbime cloud të ofruara nga palë të treta. Këto shërbime përdoren vetëm në masën e nevojshme për funksionimin e platformës dhe në përputhje me kërkesat e Ligjit Nr. 124/2024 "Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale" dhe Politikën e Privatësisë së IDRApoll.
Të dhënat përdoren vetëm për qëllime kërkimore dhe administrative të lidhura me funksionimin e platformës. Ato nuk përdoren për marketing të drejtpërdrejtë pa pëlqimin e qartë dhe të informuar të përdoruesit.
Ndërprerja e Anëtarësisë
Përdoruesit kanë të drejtë të mbyllin llogarinë e tyre në çdo kohë. Pas mbylljes së llogarisë, pikët e papërdorura mund të humbasin në përputhje me rregullat e platformës.
IDRApoll mund të mbyllë ose pezullojë llogaritë që shkelin këto Terma dhe Kushte ose që mbeten joaktive për një periudhë të gjatë kohore.
Përgjegjësia dhe Kufizimet
IDRApoll nuk mban përgjegjësi për ndërprerje të përkohshme të platformës, probleme teknike apo faktorë jashtë kontrollit të saj që ndikojnë në aksesin ose përdorimin e shërbimit.
Ndryshimet në Termat dhe Kushtet
IDRApoll rezervon të drejtën të përditësojë këto Terma dhe Kushte në çdo kohë, në përputhje me zhvillimet ligjore dhe operacionale. Përdoruesit do të njoftohen për ndryshimet dhe vazhdimi i përdorimit të platformës konsiderohet si pranim i tyre.